Kryeministri Rama premtoi se do të bëhet në kohë shumë të shpejt inspektimi i godinave të dëmtuara apo që kanë pamje të frikshme për banorët. Po në një kohë shumë të shpejt pritet të merren dhe rezultatet mbi qëndrueshmërinë e tyre. Procesi kryhet në bashkëpunim me grupet e ekspertëve të vendeve të Bashkimit Europian që kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë për të asistuar. Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri sqaroi se “nuk është e rëndësishme sesa plasaritje e krisje ka në pamje të jashtme një godinë, por sa rezulton e prekur struktura mbajtëse”. Për këtë fjalën e kanë specialistët.
Në listën e dëmeve të shkaktuara disa situata janë më specifikisht problematike si në Durrës te blloku i pallateve në Urën e Dajlanit, në drejtim të Muzeut të Dëshmorëve, te Rruga “Aleksandër Goga” drejt Spitallës, tek lagjia 14 në Shkozet, ajo 13 Plazh, po ashtu në Thumanë, Manëz, Bubq e Ishëm. Si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit, në Tiranë kemi 1 mijë e 192 banesa individuale me dëmtime serioze dhe 265 pallate që kërkojnë vlerësim. Rama tha se është gati strehimi për familjet e viktimave të lëkundjes 6.4 të shkallës Rihter. Gjithashtu, të mbijetuarit nga këto familje do të marrin trajtim të posaçëm financiar gjatë gjithë jetës.