Aktualitet

Ekzekutuan ndërtuesin Reçi, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq vëllezërit Dukaj!

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për vrasjen e ndërtuesit Eduart Reçi në nëntor 2024 dhe dërgoi për gjykim autorët e dyshuar, Shkëlqim e Florian Dukaj. Ndaj dy vëllezërve rëndojnë akuzat “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Reçi u qëllua me një plumb në kokë, nga ish-efektivi Shkëlqim Dukaj, për motive pronësie. 52-vjeçari Reçi, i cili ka qenë edhe pjesë e SHISH-it, ndër vite kishte ndërtuar dy pallate dhe një vilë. Ai ka patur mosmarrëveshje për çështje pronësie me dy vëllezërit pasi një pjesë e lokalit të tyre ishte ndërtuar mbi tokën e Reçit.

Ndonëse dy vëllezërit i kishin zaptuar tokën, Reçi refuzonte që çështjen ta zgjidhte duke iu drejtuar institucioneve. Sipas organit të akuzës, dy vëllezërve iu kërkonte ta lironin tokën në mënyrë vullnetare, por ata kishin refuzuar e kështu lindi konflikti. Prokuroria e Tiranës thotë se Reçi u kishte propozuar edhe të ndërtonin një pallat, por dy vëllezërit Dukaj pretendonin se do t’u cënohej sipërfaqja e tokës që kishin zaptuar ndaj planifikuan vrasjen e 52-vjeçarit.

Personi nën hetim Sh.D. së bashku me vëllanë e tij nuk kanë patur marrëdhënie të mira me viktimën E. R. sepse personat nën hetim prej shumë vitesh kishin ndërtuar lokalin pa leje dhe kishin pushtuar një pjesë të sipërfaqes së tokës në pronësi të viktimës. Megjithëse ky problem ishte diskutuar midis viktimës dhe personave nën hetim, nisur nga pozicioni i Sh. D., si oficer policie, viktima kishte hezituar ta zgjidhte çështjen në rrugë gjyqësore, dhe u kishte kërkuar ta lironin në mënyrë vullnetare.

Meqenëse viktima u kishte propozuar të ndërtonin një pallat, personat nën hetim e kanë kuptuar se në rast ndërtimi të pallatit, viktima do të kërkonte sipërfaqen e tij takuese dhe ata do të cenoheshin në sipërfaqen e tokës që e kishin zaptuar padrejtësisht, si për pjesën takuese të viktimës ashtu edhe për pjesën tjetër që kishin ndërtuar lokalin pa leje në tokë që nuk ishte në pronësi të tyre. Në këto rrethana, për interes pasuror, ata kanë vendosur të realizojnë vrasjen e shtetasit E.R, njoftoi Prokuroria e Tiranës.