Bota Botë e Çuditshme

Ekzistojnë vërtetë fiset e izoluara që nuk kanë asnjë kontakt me botën?! Pamjet me dron zbulojnë se…

Në një kohë kur teknologjia na mundëson lidhjen globale në sekonda, ekzistenca e njerëzve që jetojnë plotësisht të shkëputur nga bota moderne duket e pabesueshme. Së fundmi, pamje të rralla të kapura nga dronë kanë treguar jetën e fiseve të izoluar në Ishullin Sentinel të Indisë dhe në rajonin e Amazonës në Brazil, afër lumit Javari pranë kufirit me Perunë.

Foto të realizuara nga G. Miranda për Survival International, tregojnë vendbanime të vogla, banesa modeste dhe anëtarë të fiseve, disa prej të cilëve shfaqen të armatosur me hark dhe shigjeta, duke parë me kuriozitet drejt dronit. Publikuar në vitin 2018 në kanalin YouTube Death Island Expeditions, këto video kanë mbledhur mbi 3.5 milionë shikime, duke treguar një jetë të thjeshtë dhe të paprekur nga ritmi i shpejtë i botës moderne.

FUNAI, Fondacioni Kombëtar Indian i Brazilit, një agjenci qeveritare që mbron të drejtat e popullsive indigjene, ka kontribuar në regjistrimin dhe publikimin e këtyre pamjeve.

Sipas ekspertit të fiseve të izoluara që nuk kanë kontakte, José Carlos dos Reis Meirelles Júnior, këto imazhe të kapura me dron ishin të nevojshme për të dëshmuar ekzistencën e fiseve dhe për të forcuar argumentet kundër zhvillimeve që kërcënojnë Amazonën. Ai ka paralajmëruar për rrezikun e madh që u kanoset këtyre fiseve nga aktivitetet ilegale, si prerja e pyjeve në Peru, që mund të sjellin konflikte dhe shkatërrime.

 

Ekspertët theksojnë se izolimi i këtyre fiseve i bën ata veçanërisht të ndjeshëm ndaj sëmundjeve ngjitëse dhe dhunës nga jashtë. Aktivisti indigjen Beto Marubo theksoi se, për shkak të izolimit, këto grupe janë shpesh të padukshme për publikun e gjerë, duke i bërë ato më të rrezikuara.