Pa kaluar 24 orë nga mbyllja e procesit të votimit për zgjedhjet vendore në 61 bashki të vendit dhe fillimit të numërimit, deri tani ky proces ka përfunduar për çerekun e bashkive. Harta zgjedhore sa vjen e zgjerohet në ngjyrën rozë, me PS-në që prin në shumicën e zonave. Në Tiranë nuk ka supriza, socialisti Erion Veliaj ecën i pakonkurrueshëm drejt mandatit të tretë. Veliaj e ka thelluar në 20 mijë vota diferencën me ndjekësin më të afërt, Belind Këlliçin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Berishës e Metës.
Surpriza nuk ka as në Durrës ku ndërsa vijon numërimi, kryeson bindshëm Emiriana Sako e PS-së ndaj rivalit të Bashkë Fitojmë, Igli Cara. Por, duke mbetur te surprizat, ato i gjejmë në Shkodër. Benet Beci i PS-së ka më shumë vota se Bardh Spahija i BF, i zgjedhur në votimet e pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar.
Me vetëm 24 vota më shumë se rivali socialist, Jorgo Goro, Fredi Beleri i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” është fitues i zgjedhjeve për Bashkinë Himarë.
Një garë e ethshme edhe në Himarë, ku sytë ishin te kutia e fundit, që po numërohej deri para pak momentesh. Siç u njohëm dhe nga raportimi i korrespondentit Mikel Marsi, diferenca ishte tepër e ngushtë mes kandidatit socialist Jorgo Goro e rivalit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, ku njëherë kalonte Goro dhe njëherë tjetër avantazhin e merrte Beleri e tani ky i fundit fitoi.
Tre ditë më parë, Himara u vendos në qendër të vëmendjes për faktin që kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Beleri u arrestua në orët e para të mëngjesit të së premtes për shit-blerje të votave. Athina zyrtare reagoi duke kërkuar nga autoritetet shqiptare që ai të lirohet menjëherë. Përfaqësuesit e “Bashkë Fitojmë” folën për “rrëmbim” të 50-vjeçarit Fredi Beleri nga policia.
Me një diferencë fare të ngushtë prej vetëm 23 votash, në Rrogozhinë fiton kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla kundrejt rivalit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha. Socialistët nisën festën, ndërsa pala tjetër përgatitet për hapat e kontestimit. 247 ishin votat e pavlefshme dhe po ashtu do të kërkohen verifikime në drejtim të votave të hedhura nga të burgosurit.