I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në korrik për zgjedhje të reja.
Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth tyre e protestuesit të largohen. Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja e ne duam që serbët të marrin pjesë në to, pa parakushte.
Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd ku pas Prishtinës udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Vizita e tyre vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Kriza që u përshkallëzua në dhunë, nisi më 26 maj kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, pavarësisht rezistencës së banorëve serbë.
Escobar, i cili kritikoi ashpër Albin Kurtin për “mungesë bashkëpunimi” në shtensionimin e situatës, tha se presidenti serb Aleksander Vuçiç e siguroi se do të shfrytëzonte ndikimin e tij, për të bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të marrë pjesë në rast se mbahen zgjedhje në veri.
Pas thirrjeve të Beogradit, serbët i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç.
Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët të kthehen në institucionet e Kosovës. Kjo është ajo për të cilën unë mendoj se jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur.
I pyetur nga gazetarët nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin europian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes qeverisë së Kosovës e Lajçakut do të vazhdojnë.
Escobar përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për qeverinë e Kosovës.
Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, duhet të formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme?