Sport

“Euro 2024” deri tani/Raundi i 1/8-ave!

Pas përballjes Zvicër-Itali, një takim që pritet të luhet më 29 qershor në Berlin, tashmë është zbuluar edhe çifti i dytë i raundit të 1/8-ve. Gjermani-Danimarkë është sfida e radhës, e formuar pas kualifikimit të danezëve si vend i dytë në Grupin C e do të luhet më 29 qershor në orën 21:00, në Dortmund. Ndërsa ende pa u mbyllur faza e grupeve, tani është zbuluar edhe fakti se Gjermania, Franca dhe Portugalia mund të sfidohen me njëra-tjetrën para finales.

Italia ishte vetëm disa sekonda larg të përfunduarit si e treta në Grupin B aty ku bënin pjesë Spanja, Shqipëria dhe Kroacia. Por, një gol i Mattia Zaccagnit në limitet e ndeshjes, nderoi të besuarit e trajnerit Luciano Spalletti që e mbyllën grupin në vendin e dytë me katër pikë.

Një arritje e rëndësishme sidomos nëse i hedhim një sy kundërshtarëve që do të gjejë Italia në rrugëtimin e saj deri finales së Berlinit, gjithnjë nëse ia del t’i shkojë Europianit deri në fund. Kështu, axurrët mund të konsiderohen me fat pasi nga krahu i tyre nuk janë emrat e kombëtareve favorite si Gjermania, Spanja, Portugalia dhe Franca.

Të kaltrit mund të hasin Anglinë, ndërsa fillimisht duhet të kalojnë në raundin e 1/8-tave Zvicrën e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Asnjë kundërshtar në “Euro 2024” nuk është për t’u nënvlerësuar, por është fakt që Italia ia ka dalë të shmangë disi konkurrencën më të ashpër. Grupi D duket se solli dhe surprizat më të mëdha deri në këtë pikë të “Euro 2024”-ës, teksa aty ku bënte pjesë Franca e Holanda, kryesimi shkon për Austrinë.  Kjo e fundit mposhti “tulipanët” në ndeshjen e tretë me rezultatin 2-3, një sfidë që dhuroi spektakël.

Austriakët u barazuan në dy raste nga Holanda, megjithatë në fund, goli i Sabitzerit mjaftoi për të marrë tre pikët dhe vendin e parë. Holandë-Austri përfundoi në shifrat 2-3. Ndërkaq, sot luhen katër ndeshje.

Në orën 18:00: 

Sllovaki-Rumani

Ukrainë-Belgjikë

Në orën 21:00:

Gjeorgji-Portugali

Çeki-Turqi