Nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, eurokomisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, tha sot se “Europa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor”. Sipas zyrtares europiane, “tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, çka nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por dritarja e mundësisë nuk do të jetë përgjithmonë e hapur”.
Kos ndodhet në Shkup në kuadër të samitit dy-ditor mes Bashkimit Europian e Ballkanit Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes së BE-së për rajonin. Vendi ynë përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, të cilit eurokomisionerja iu drejtua duke evidentuar:
Po shohim përparim të rëndësishëm. I dashur kryeministër Edi Rama, Shqipëria ka hapur tre klasterë në 6 muajt e fundit. Falëminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit.
Përveç Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë fondet e para të para-financimit nga Plani i Rritjes. Në këtë takim, Kosovën e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Po presim që qeveria e re, z.Kurti, më në fund të vendosë më shumë energji në procesin e anëtarësimit. Ndërkohë, tashmë po ecim përpara edhe me Serbinë, vuri në dukje Marta Kos.
Sa i përket Malit të Zi, vendi i vogël ballkanik mbylli edhe një kapitull të premten e kaluar.
Me të mbërritur në Shkup, dje në aeroport, Kos u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski. Më pas, mbajti një takim me delegacionin maqedonas të drejtuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Gjatë takimit u diskutua mbi perspektivën europiane të rajonit, me fokus zbatimin e reformave, realizimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet europiane, deklaroi Mickoski pas bisedimeve.
Përsërita vendosmërinë e qeverisë për integrimin në BE, përmes një procesi dinjitoz e zbatimit të reformave thelbësore në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital.