Rajoni

Dita e dytë e takimit BE-Ballkani Perëndimor në Shkup për Planin e Rritjes!

Sot është dita e dytë dhe e fundit e samitit në Shkup, kushtuar Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos po zhvillon një takim me liderët e vendeve të rajonit, mes tyre kryeministri Edi Rama. Me përjashtim të Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë fondet e para të para-financimit nga Plani i Rritjes.

Nga Drejtoria e Komisionit Europian për Zgjerimin e Fqinjësinë, shkurtimisht u bë e ditur se Marta Kos ka mbërritur në Shkup për takime me liderët e Shqipërisë, të Bosnjës, Kosovës, të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e të Serbisë.

Së bashku do të diskutojnë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me fokus, mënyrat për të përshpejtuar reformat dhe integrimin e vendeve të rajonit në tregun unik të BE-së.

Plani i Rritjes synon të përshpejtojë reformat e t’i përgatisë vendet për anëtarësim. 6 miliardë euro është fondi për vendet e Ballkanit Perëndimor. Një pjesë do të jepen si grante dhe pjesa tjetër, në formën e kredive me kushte të favorshme.

Pikërisht ky plan, si dhe agjenda e tij reformuese bënë që kryetari i partisë më të madhe opozitare, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, të kritikonte qeverinë e Maqedonisë së Veriut, para mbërritjes në Shkup të Marta Kosit.

Sipas tij, qeveria e drejtuar nga VMRO-DPMNE/ja, “nuk ka treguar as vullnet dhe as kapacitete për të zbatuar agjendën reformuese”.

Afati ka kaluar dhe 43 milion euro nga Plani i Rritjes, të destinuara për reforma, kanë mbetur të pashfrytëzuara. Madje nuk kanë aktivizuar as avancën në vlerë 52 milion eurosh nga ky plan. Ministritë e Ekonomisë, të Drejtësisë dhe të Energjisë nuk kanë asnjë reformë, ligj apo projekt. Vetëm Ministria e Digjitalizimit e ka zbatuar dhe kjo falë reformave të përgatitura gjatë qeverisjes së LSDM-së, vuri në dukje Venko Filipçe.