Bota

Europa rikonfirmon ndihmën ushtarake për Ukrainën!

Pas një samiti urgjent në Paris, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen konfirmoi se Europa është plotësisht e përkushtuar për të mbështetur Ukrainën me ndihmë ushtarake.

Europa ka pjesën e saj të plotë të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ukraina meriton paqen përmes forcës, duke respektuar pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial të saj, me garanci të forta sigurie.

Shefja e Komisionit të BE-së përsëriti nevojën për të forcuar aftësitë mbrojtëse të bllokut.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi se nuk është koha e duhur për të diskutuar vendosjen e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, duke theksuar se asnjë diskutim nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen e Kievit. Në përfundim të bisedimeve urgjente me liderët europianë në Paris, Scholz u tha gazetarëve se vendet europiane do të ruajnë mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe nënvizoi se ukrainasit duhet të jenë pjesë e çdo negociate paqeje.

I pyetur për qëndrimin e Gjermanisë mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë trupat e mundshme paqeruajtëse, Scholz u përgjigj:

Eshtë krejtësisht e parakohshme dhe koha krejtësisht e gabuar për të pasur këtë diskutim tani. Sinqerisht jam mjaft i irrituar nga këto debate. Njerëzit po flasin pa pyetur ukrainasit për rezultatin e bisedimeve të paqes që as nuk kanë filluar, për të cilat Ukraina nuk ka rënë dakord dhe që nuk ishin as në tryezë.

Kancelari gjerman theksoi pasigurinë e perspektivave për bisedimet e paqes dhe rezultatin e tyre të mundshëm.

Prandaj ky është një debat i papërshtatshëm në kohën e gabuar dhe për temën e gabuar. Ne nuk jemi ende në paqe, por në mes të një lufte të zhvilluar brutalisht nga Rusia.