Policia e Shtetit ka shpallur gatishmërinë dhe angazhimin maksimal për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka hartuar një plan të posaçëm masash për parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, me detyra të qarta për të gjitha strukturat policore vendore dhe qendrore.
Masat kryesore përfshijnë shtimin e prezencës policore në terren për garantimin e rendit dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Sigurimi i pikat e kalimit kufitar: Menaxhimi i hyrjeve/daljeve të shtetasve, shtimi i sporteleve dhe burimeve njerëzore në pikat e kalimit kufitar, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit me homologët ndërkombëtarë për të shmangur radhët dhe për të siguruar lëvizje të pandërprera në kufij.
Kontrolle të shtuara në kufirin e gjelbër: Rritja e patrullimeve dhe kontrollit të lëvizjes për parandalimin e krimeve kufitare.
Intensifikimi i kontrolleve rrugore: Përdorimi i mjeteve inteligjente si dronë, shpejtësimatës dhe alkooltestues, si dhe shtimi i patrullave të lëvizshme për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë rrugore.
Bashkëpunimi me autoritetet vendore dhe fetare: Koordinimi i masave për organizimin e ceremonive festive dhe garantimin e rendit gjatë natës së Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve, në bashkëpunim me Policitë Bashkiake dhe drejtuesit e institucioneve fetare.
Masat në restorante dhe qendra tregtare: Shtimi i prezencës policore në ambiente publike të frekuentuara si restorante, lokale dhe qendra tregtare për parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale.
Kontrolle për tregtimin e lëndëve piroteknike: Intensifikimi i kontrolleve për tregtimin e fishekzjarreve dhe kapsollave, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Siguria në institucione financiare dhe tregje: Rritja e shërbimeve policore në banka, zyra këmbimi valutor dhe objekte ku administrohen vlera monetare.
Mbështetje nga shërbime private të sigurisë: Bashkëpunimi me shërbimet private të sigurisë fizike për përforcimin e masave të sigurisë në objekte dhe për shoqërimin e vlerave monetare.
Në përgatitje për çdo situatë emergjente, Forca Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, dhe Reparti RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje në rast nevoje.