Film & Tv

Filmi për Bruce Springsteen, ja kujt i besohet roli i legjendës së rock-ut!

Jeremy Allen White, aktori i njohur i serialit “The Bear”, do të interpretojë legjendën e rock-ut, Bruce Springsteen, në filmin “Springsteen: Deliver Me From Nowhere”, i cili do të shfaqet më 24 tetor, sipas AP. Ky është roli i parë kryesor në një film për White, i cili i këndon vetë të gjitha këngët e Springsteen.

Filmi, me regji të Scott Cooper, i njohur në realizimet “Crazy Heart” dhe “Black Mass”, lë mënjanë biografinë e zakonshme që përshkruan gjithë jetën e këngëtarit dhe përqëndrohet te albumi i vitit 1982, “Nebraska”. Ky album minimalist, i regjistruar në dhomën e gjumit të Springsteen, tregon histori të punonjësve të thjeshtë dhe përmban ndjesi emocionale që e bëri të vështirë përshtatjen në ekran.

Përgatitja për realizimin e rolit ishte sfiduese. White nuk kishte përvojë në të kënduar apo në kitarë, por punoi intensivisht me një trajner vokali, mësues kitare dhe regjistroi shumicën e këngëve në një studio në Nashville brenda 48 orësh. White tha se kënga që e preku më shumë ishte “My Father’s House”, një baladë e thellë dhe emocionalisht prekëse, gjatë të cilës ai ndjeu lidhje të veçantë me Springsteen.

Vetë Springsteen dha sugjerime për skenarin, ndihmoi në zgjedhjen e aktorëve dhe ishte i pranishëm në xhirime. White e përshkroi Springsteen si shumë bujar dhe modest. Filmi synon të tregojë jo vetëm historinë e një albumi, por edhe procesin krijues dhe shpirtin e Amerikës përmes perspektivës së Springsteen. Për White, ky rol ishte një “hap besimi”, që e lidh me kureshtjen artistike dhe kërkimin e së vërtetës në art.