Aktualitet Rajoni

Fizibiliteti i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, rreth 2 milion euro!

Kuvendi i Kosovës miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë. Gjatë seancës plenare, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bëri të ditur se kostoja totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashikohet të jetë mbi 1.9 milion euro.

Për këtë projekt, ministri Aliu deklaroi se nga buxheti i Kosovës do të ndahen 980 mijë euro, ndërsa nga i Shqipërisë, 1 milion euro.

Aktualisht, jemi në një fazë që mund të realizojmë projektin dhe të hapim mundësinë e krijimit të kësaj linje, e cila pastaj mund të shoqërohet me shumë projekte tjera që do të mundësonin qarkullimin e mallrave nga Porti i Durrësit në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor e që Prishtina do të ishte qendër kryesore e shpërndarjes së këtyre mallrave.

Realizimi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë do të mundësonte nisjen e projektit tjetër, që është ndërtimi i dy porteve të reja tregtare: Porto Romano në Durrës dhe Porti i Thatë në Prishtinë. Ky projekt ishte prezantuar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që u zhvillua një muaj më parë në Prishtinë, më 20 qershor.

Sipas prezantimit të bërë nga Eric Smit, drejtor i kompanisë holandeze “Royal Haskoning”, e cila e ka hartuar projektin, Porti i Thatë në Prishtinë do të shfrytëzohej për zhdoganimin e mallrave, gjë që do ta lehtësonte pastaj ngarkesën në portin detar të Durrësit. Projekti i investimit në Porto Romano llogaritet se do të ketë ndikim pozitiv në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë, nga 3 deri në 6 për qind, teksa për Kosovën ende nuk ka një përllogaritje të saktë.