Bota Botë e Çuditshme

Foka 1 mijë kilogramë bllokon trafikun/FOTO!

Neili, një fokë që peshon rreth 1.000 kilogramë, është rikthyer sërish në brigjet e Tasmanisë, duke shkaktuar kaos në rrugë dhe duke u bërë edhe një herë personazhi më i komentuar në Australi. Gjitari pesëvjeçar doli nga deti javën e kaluar për periudhën e tij të zakonshme të pushimit dhe ndërrimit të lëkurës, por prania e tij në zonat urbane detyroi autoritetet të mbyllnin rrugë dhe të kufizonin lëvizjen e qytetarëve.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë Neilin duke lëvizur ngadalë mes automjeteve, ndërsa punonjësit e Departamentit të Burimeve Natyrore dhe Mjedisit përpiqen ta drejtojnë me shkopinj dhe kartonë, pa i shkaktuar dëmtime. Në një moment, foka afrohet pranë një furgoni, duke ngritur shqetësime se mund ta dëmtonte, por fatmirësisht largohet pa shkaktuar incidente.

Në një tjetër video, Neili shihet duke u ngjitur mbi pengesat metalike të rrugës, të cilat i shtyp me peshën e tij të madhe. Ndërkohë, disa banorë kritikuan ndërhyrjen e autoriteteve, duke kërkuar që kafsha të lihej e lirë të lëvizte sipas instinktit të saj. Autoritetet theksuan se metodat e përdorura janë të sigurta dhe synojnë vetëm mbrojtjen e kafshës dhe të qytetarëve.

Banorëve dhe turistëve u është bërë thirrje të mbajnë të paktën 20 metra distancë nga Neili dhe të largohen ngadalë nëse ai afrohet. Neili lindi në vitin 2020 në Salem Bay dhe u bë i famshëm në vitin 2022, kur u vendos në Hobart gjatë periudhës së ndërrimit të lëkurës. Sot ai numëron mbi 1.4 milionë ndjekës në TikTok dhe konsiderohet një nga kafshët më të famshme të Australisë.