“Agjencia Europiane e ruajtjes së kufijve, FRONTEX po mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor për forcimin e regjimit kufitar, duke vendosur rreth 500 oficerë e anëtarë të njësive tokësore”. Kjo thuhet në raportin e fundit, ndërsa burime kufitare shqiptare i thanë Zërit të Amerikës se shtimi i trupave të FRONTEX-it ka përfshirë edhe Shqipërinë. Pas Korçës e Gjirokastrës, FRONTEX po patrullon me forcat shqiptare edhe në kufirin shqiptaro-grek në territorin e Sarandës.
Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë rruga më aktive e emigracionit drejt Bashkimit Europain, me më shumë se 14 mijë evidentime emigrantësh të parregullt në nëntor, dy herë më shumë se një vit më parë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka regjistruar numrin më të lartë të emigrantëve të parregullt që nga kulmi i krizës së emigracionit në vitin 2015.
Presioni i vazhdueshëm emigrator në rrugën e Ballkanit Perëndimor mund t’i atribuohet përpjekjeve të përsëritura për të kaluar kufirin nga emigrantët, tashmë të pranishëm në rajon, si dhe faktit që disa emigrantë abuzojnë me qasjen pa viza në rajon për t’iu afruar kufijve të jashtëm të BE-së.
Raporti përmend Serbinë, që shihej si rrugë e depërtimit të emigrantëve nga disa vende, përfshirë Kubën.
Në fund të nëntorit, Serbia ka kufizuar regjimin e saj të vizave që pritet të zvogëlojë numrin e kalimeve të paligjshme. Në njëmbëdhjetë muajt e parë të këtij viti, në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian janë evidentuar më shumë se 308 mijë hyrje të parregullta. Prurjet emigratore flasin për një rritje prej 68% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, më të lartat që nga viti 2016.
Rruga e Ballkanit Perëndimor mbetet më aktive, me 45% të të gjitha zbulimeve të hyrjeve të parregullta në Bashkimin Europian të regjistruara që nga fillimi i vitit. Vetëm në nëntor, vendet anëtare të BE-së regjistruan në të gjitha rrugët e emigrimit rreth 27 mijë kalime të parregullta kufitare, 15% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2021.
Për të mbështetur vendet që përballen me presion të madh emigrator dhe sfida të tjera në kufijtë e tyre, FRONTEX po siguron më shumë se 2 mijë oficerë të forcave tokësore e pajisje të ndryshme në operacionet e përbashkëta.
Në periudhën janar-nëntor 2022, numri i emigrantëve të parregullt të evidentuar në Kanalin e La Manshit midis Francës e Britanisë së Madhe ishte 68 mijë, çka shënon rritje prej 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.