Shqipëria do të fotografohet nga ajri edhe një herë, për të rifreskuar hartat e prodhuara thuajse një dekadë më parë. Në gjithë territorin, fotografimi i fundit ajror i takon viteve 2015-2017 ndërsa për Tiranë-Durrës, ky fotografim i takon 2018-ës. Fondi Shqiptar i Zhvillimit është autoriteti kontraktor që pritet të përzgjedhë edhe kompaninë që do të kryejë këtë shërbim.
Përmes një procedure prokurimi të çelur këtë javë në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, me një fond limit 259 milion lekë apo rreth 2.6 milion euro, kontrata ka në objekt “Ndërhyrje për Përditësimin e Sistemit Kombëtar të të Dhënave Gjeohapësinore për Mbështetjen e Zhvillimit Rajonal: Fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë, Prodhimi i Imazheve ajrore të orientuara nadir dhe oblik, Skanimin LIDAR;DT.
Në dokumentet që shoqërojnë procedurën argumentohen arsyet se pse ky fotografim është i nevojshëm.
Ndryshimet demografike dhe zhvillimi ekonomik në disa sektorë (si Turizmi dhe Bujqësia) kërkojnë krijimin e sistemeve dhe bazave të të dhënave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Në shumë raste, hasen vështirësi gjatë zbatimit të shumë projekteve të rëndësishme të synuara për zhvillimin e zonave urbane dhe infrastrukturore.
Sidomos në zonat urbane dhe turistike, shumë Agjenci Publike si dhe shumë investitorë vuajnë nga mungesa e informacionit hartografik për të dhëna vektoriale në shkallë të vogël dhe të madhe dhe përditësimin e prodhimeve ortofotografike, të cilat ndihmojnë si për realizimin e investimeve në infrastrukturë, ashtu edhe për stabilizimin e marrëdhënieve mes pronësisë së tokës në veçanti.
Sipas FSHZH-së, bazuar në nevojat dhe kërkesat e shumë autoriteteve publike, që janë njohur si aktorë për përdorimin dhe përditësimin e tematikave të informacionit gjeohapsinore, ASIG propozoi një fotografim të ri ajror i cili do të shërbejë si hartë-bazë e unifikuar për të gjithë Territorin Shqiptar.
Dokumentet specifikojnë se fotografimi Ajror Dixhital oblik, Modeli Dixhital i Terrenit dhe Ortofoto RGB/CIR, që do të prodhohen për projektin, do të jenë të dobishëm për njohjen e gjendjes aktuale të veçorive gjeografike shqiptare dhe formulimin e planeve kombëtare lidhur me territorin.
Përveç kësaj, është e mundur të kryhen kërkime shkencore dhe të analizohen situatat e mëposhtme të rëndësishme si: Erozioni bregdetar, ondi pyjor, zhvillimi i burimeve minerale, ndryshimet e përdorimit të tokës, p.sh. nga tokë bujqësore në zonë e banimit, nga pyll në tokë bujqësore; ndërtesa të reja dhe humbja e ndërtesave, fatkeqësi natyrore, p.sh. Rrëshqitjet e tokës apo zjarret në pyje, zbatimi i sistemit të regjistrimit të popullsisë, të sistemit kombëtar të adresave, nënvizon dokumenti./Monitor