Stuhia Ciaran vazhdon të mbajë të mbërthyer Italinë fqinje duke sjellë vdekje, baltë dhe përmbytje. Situata më kritike është në Toskana, ku numërohen të paktën gjashtë viktima e dy të zhdukur. Në rajon fryjnë erëra deri në 150 kilometra në orë dhe ka reshje shiu, më intensivet në 50 vjet.
Mbi 20 mijë persona qëndruan në errësirë për disa orë. Uji pushtoi rrugë, shtëpi, përmbyti spitale, fabrika, qendra tregtare e shpërtheu lumenjtë në territoret e Pratos, Pistoias e Pizës, si dhe në Campi Bisenzio. Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Toskana. Dëme edhe në Veneto, ku një zjarrfikës vazhdon të rezultojë i zhdukur.
Paralajmërimi i motit të keq mbetet të paktën deri në të gjithë fundjavën. Niveli i alarmit vijon i lartë në Friuli e Sardenja ku shpejtësia e erërave të ciklonit arriti deri në 150 kilometra në orë. Makthi i Ciaranit mund të përfundojë të hënën kur stuhia të shuhet.
Familje të zhvendosura dhe një person i zhdukur në Veneto
Në Veneto, disa familje që jetojnë në zonat e përmbytjeve të Piave nuk do të kthehen ende në shtëpitë e tyre dhe kërkimi për zjarrfikësin që u zhduk ndërsa përballej me stuhinë, vazhdon.
Lombardi, Seveso nën monitorim
Në Lombardi, lumi Seveso mbahet nën vëzhgim ndërsa Lambro në provincën e Monzas doli nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje. Po ashtu, liqeni i Como-s tejkaloi nivelin maksimal. Në zonën e Breshias, moti i keq u bë shkak për shembjen e çatisë së një shtëpie.
Shpërthimet e stuhisë në Liguria
Liguria përgatitet të shpallë së shpejti gjendjen e jashtëzakonshme. Në Genova, tre persona u plagosën, njëri në gjendje të rëndë. Ai po bënte video të dallgëve të larta kur u godit prej tyre, pasi gjendej shumë pranë detit. Edhe disa turistë në sheshin e vogël të Portofino-s kanë mbetur të dëmtuar lehtë, po nga një dallgë e frikshme.