I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin e jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në vende alternative. Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, që protestuesit të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, të mbahen përgjegjës para autoriteteve.
Escobar shtoi se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.
Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-të dhe Bashkimin Europian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja. Të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tre kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:
· Shtensionimin e situatës
· Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
· Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
I pyetur nëse do të marrë pjesë në takimin që mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme me ndërmjetësimin e kryediplomatit europian, Josep Borell, Escobar tha se ende është duke u punuar për këtë takim.
Pavarësisht prej përgatitjeve do të vendosim nëse do të shkoj në Bruksel. Por, pa asnjë dyshim, këto përpjekje do ta kenë mbështetjen amerikane.
Escobar shtoi se beson që qeveria e Kosovës duhet të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.
BE beson se diçka e tillë jo vetëm që është joeuropiane, por as nuk ekziston bazë ligjore. Ne e mbështesin këtë qëndrim dhe besojmë se është përshkallëzim i panevojshëm i një situate të tensionuar.
Sa i përket kritikës së kryeministrit Albin Kurti se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobar, shtoi se SHBA-të dhe KFOR-i janë në pritje të fakteve.
Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është jo e përshtatshme të bëjmë vlerësime parapake.