Botë e Çuditshme

Gjarpri ishte fshehur në pjesën e ngarkesës së aeroplanit, fluturimi shtyhet për dy orë!

Një fluturim në Australi u vonua për dy orë pasi në të u gjet një gjarpër në pjesën e ngarkesës. Gjarpri ishte i gjelbër, 60 centimetra, por rezultoi të ishte i padëmshëm. Kapësi i gjarpërinjve, Mark Pelley, tha se në fillim mendoi se gjarpri ishte helmues dhe rrezikonte të fshihej thellë brenda aeroplanit. Ai paralajmëroi stafin e linjës ajrore se nëse gjarpri do të zhdukej, do të duhej evakuimi i pasagjerëve.

Por Pelley e kap gjarprin në tentativën e parë, duke shmangur kështu një kërkim të gjatë dhe të ndërlikuar. Gjarpri u dorëzua te një veteriner në Melburn, ku do të marrë kujdesin. Ndërkaq, Ibiza, tani është në qendër të një emergjence ekologjike. Gjithnjë e më shumë turistë thonë se janë shumë të tmerruar për të notuar pas pamjeve të shumta të gjarpërinjve gjigantë deri në 1,8 metra të gjatë që notojnë në ujërat e brigjeve të saj.

Disa, të tronditur, madje kanë anuluar pushimet e tyre. Pushtimi i gjarprit të barit, një gjarpër vendas në Spanjën kontinentale dhe Afrikën e Veriut, po e ndryshon përgjithmonë fytyrën e ishullit. Gjarpri i barit, Hemorrhois hippocrepis zbarkoi në Ibiza në fillim të viteve 2000, i transportuar pa dashje midis rrënjëve të pemëve zbukuruese të ullirit të importuara nga gadishulli. Në një mjedis pa grabitqarë natyrorë dhe të pasur me pre, në veçanti hardhucën e murit Podarcis pityusensis, këta gjarpërinj janë shumuar me shpejtësi. Ajo që filloi me pamje sporadike është bërë një fenomen jashtë kontrollit.