Pas dy dekadash pa asnjë gjurmë, është rishfaqur një nga krijesat më të rralla në botë – gjarpri më i vogël, i njohur si gjarpri i Barbadosit.
Kjo specie, e cila dikur mendohej e zhdukur, u zbulua sërish nga ambientalistët vendas, të cilët e gjetën nën një shkëmb gjatë një inspektimi në natyrë. Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) e rendit këtë gjarpër si “kritikisht të rrezikuar”, për shkak të popullatës së vogël dhe shpërndarjes shumë të kufizuar në këtë ishull të Karaibeve.
Ekspertët besojnë se mungesa e raportimeve mund të ketë kontribuar në idenë se ishte zhdukur, megjithëse prania e tij në një zonë të populluar si Barbados e bën më të lehtë për t’u zbuluar – nëse kërkohet me kujdes.
Gjarpri u identifikua fillimisht si specie e veçantë nga profesori amerikan S. Blair Hedges, drejtues i Qendrës për Biologji në Universitetin Temple.
Që atëherë, ai ka marrë me qindra mesazhe nga persona që pretendojnë se kanë gjetur gjarprin, por shumica kanë rezultuar të jenë thjesht krimba.
Profesori Hedges shpreson se ky zbulim do të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e biodiversitetit në Barbados dhe nevojën për të mbrojtur habitatet natyrore të kësaj specieje të jashtëzakonshme.