Bota

Po ndiqte spektaklin me gjarpërinj, vdes turisti gjerman pas kafshimit!

Një turist gjerman 57-vjeçar humbi jetën në rrethana tragjike gjatë pushimeve në Hurghada, një destinacion i njohur turistik në brigjet e Detit të Kuq në Egjipt. Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi ndërsa burri po ndiqte një shfaqje të ashtuquajtur “magjistari i gjarpërinjve” së bashku me familjen e tij në një hotel. Gjatë performancës, drejtuesi i shfaqjes fillimisht vendosi një gjarpër rreth qafës së turistit dhe më pas lejoi që një nga dy kobrat të futej në pantallonat e tij. Pikërisht në atë moment ndodhi pickimi fatal në këmbë.

Menjëherë pas incidentit, 57-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë pak kohë më vonë. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se viktima shfaqte “shenja të qarta helmimi”. Policia dhe prokuroria në Gjermani kanë nisur hetimet për rastin dhe janë në pritje të rezultateve të analizave toksikologjike, të cilat pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e vdekjes.

Rikujtojmë, se një piton gjigant femër (Malayopython reticulatus) i zbuluar në rajonin Maros të Sulawesi-t, Indonezi, në fund të vitit 2025 besohet të jetë gjarpri i egër më i gjatë që është matur zyrtarisht, me prova të para nga GWR që konfirmojnë një gjatësi prej 7.22 m nga koka deri te maja e bishtit. Kjo do të thotë që nëse vendoset përgjatë një porte standarde të FIFA-s, ky piton i jashtëzakonshëm do të zërë praktikisht të gjithë gjerësinë nga shtylla në shtyllë.