Gjykata e Lartë amerikane i dha dritën jeshile administratës Trump, për të ngrirë mbi 4 miliardë dollarë ndihmë të huaj, sipas Uashington Postit. Gjyqtarët më të lartë zhbënë një urdhër paraprak të lëshuar nga një gjykatë federale, sipas të cilit, Trump ka uzurpuar pushtetin buxhetor të Kongresit duke refuzuar të shpenzonte miliarda dollarë të destinuara për ushqim, ilaçe e zhvillim në mbarë botën.
Ndërkohë, Donald Trump po nis një sulm të plotë ndaj ish-zv.prokurores së Përgjithshme të SHBA-ve, Lisa Monaco në administratën Biden, duke kërkuar që Microsoft, e cila e emëroi si presidente të Çështjeve Globale, ta shkarkojë.
Në një postim në Truth, presidenti amerikan e quan Monacon, “të korruptuar e plotësisht të çmendur”, duke kujtuar rolet që ka patur me Barack Obamën e Joe Biden-in. Ndërkaq, e akuzoi për orkestrimin komplotesh kundër Amerikës, në bashkëpunim me ish-kryeprokurorin Merrick Garland.
Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të revokojë vizën e presidentit kolumbian, Gustavo Petro, i cili dje mori pjesë në një protestë pro-Gazës në Nju Jork.
Petro qëndroi në një rrugë të Nju Jorkut dhe kërkoi që ushtarët amerikanë të mos u bindeshin urdhrave, duke nxitur dhunë. Ne do ta revokojmë vizën e Petros për shkak të veprimeve të tij të pamatura e provokuese, u tha në një deklaratë.
Në një tjetër zhvillim, Donald Trump ka njoftuar se do të deklasifikojë dosjet e Amelia Earhart-it, aviatores amerikane që u zhduk në mënyrë misterioze gjatë një fluturimi mbi Oqeanin Paqësor në vitin 1937, ndërsa përpiqej të bëhej gruaja e parë që fluturonte rreth Tokës.