Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit Fatmir Sheholli, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Spiunazhi.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Shehollit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund ti shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penale spiunazhi, ngase duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, e që fillimisht duhet specifikuar faktin se vepra penale e cila i ngarkohet të pandehurit F.SH. bënë pjesë në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e cila vepër veçanërisht rrezikon institucionet dhe funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha:
“Sheholli ka pasur hapësira të pakufizuara në mediat e Kosovës dhe se ai ka bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.
Prokuroria deri tani nuk ka dhënë hollësi për atë se për kë dyshohet të ketë spiunuar Sheholli, por Sveçla la të kuptohej se mund të ketë spiunuar për Serbinë.
“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor. Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare. Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend.