Gjykata Themelore në Prishtinë bëri të ditur se anuloi seancën gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, meqë trupi gjykues urdhëroi një ekzaminim për gjendjen mendore të Shabanit.
Propozimin për këtë ekzaminim e bëri mbrojtja e tij, ndërsa Gjykata njoftoi se pret që procedura të përfundojë brenda një kohe të shkurtër. Shabani dhe Qerimi akuzohen për spiunazh për Serbinë, teksa të dy janë deklaruar të pafajshëm.
Në mesin e akuzave kundër tyre përfshihet dhënia e informacioneve për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) prej periudhës së luftës në Kosovë e deri në arrestimin e tyre më 2024-ën.
Referuar autoriteteve të Kosovës, ata e kanë rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin kushtetues juridik e sigurinë e vendit. Kohët e fundit, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se kanë spiunuar për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në mesin e tyre është Fatmir Sheholli, të cilit i është vazhduar masa e paraburgimit. Në qershor të këtij viti, autoritetet e drejtësisë në Kosovë dënuan me pesë vjet burgim Aleksandar Vllajiçin, pasi pranoi fajësinë për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar BIA-s serbe.
Në një rast tjetër po gjykohet edhe serbja Jellena Gjukanoviç, e cila akuzohet për spiunazh për inteligjencën serbe. Ajo e ka mohuar fajësinë. Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg, nëse i dyshuari shpallet fajtor. Ekspertët thanë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin, por gjithashtu i dëmton pozitën ndërkombëtare. Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend.