Aktualitet Politikë

Gjykata Kushtetuese shtyn për ditën e enjte vendimin për shkarkimin e Presidentit Meta

Gjykata Kushtetuese ka ndërprerë seancën ku po shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Presidentit Meta. Është vendosur që seanca të shtyhet për ditën e enjte.

Kërkesa për shtyrjen e seancës është bërë nga përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi që kreu i shtetit të njihet me përgjigjet e ardhura nga kuvendi i Shqipërisë.

Kemi një kërkesë. Dëgjuam me vëmëndje përgjigjet e Kuvëndit të Shqipërisë për të gjitha pyetjet e gjykatës. Konstatojmë në fakt se çësthja e legjitimitetit të përfaqësuesit të parlamentit është shumë e rëndësishme. Shumë përgjigje të përfaqësuesve ishin edhe më kontradiktore se sa ato të 104 deputetëve. Pata mundësin të konstultohem me presidentit për këtë detaj. Me mënyrën si po ecte seanca jo për përgjigjet. Nga konsulta me presidentit ai kërkon të njihet me përgjigjet e kuvendit. Jemi gati edhe nesër, por së pari të njihet presidenti me këto përgjigje. Kërkojmë të shtyhet seanca qoftë edhe për nesër. Ti çojmë Presidentit përgjigjet, tha Dervishaj.

Vetë Presidenti Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore. Kreu i Shtetit përfaqësohet në këtë seancë nga Këshilltari i tij Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoresha Juridike, Katrin Treska.

Kujtojmë se në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese që pritet të vendosi për fatin politik të presidentit Meta nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.

Pala mbrojtëse e Presidentit të Republikës ka theksuar ditën e sotme se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta gjykojë dot çështjen për shkarkimin e Metës si president i vendit, pasi është emëruar nga Qeveria dhe mandati i kryetares së saj, Vitore Tusha ka përfunduar pesë vjet më parë dhe pritet zëvendësimi.

Kjo ka qenë edhe arsyeja sipas të cilës mbrojtja e Metës e ka konsideruar çështjen si të anshme, duke nënvizuar se prej shtatë anëtarësh që ka momentalisht Kushtetuesja, gjashtë prej tyre janë emërime të Qeverisë. Tre prej këtyre emërimeve kanë ardhur edhe me ndërhyrjen e Komisionit të Venecias.

Ky i fundit vetë, sipas mbrojtjes së Metës, ka theksuar disa herë se situata është e pafavorshme që të zgjidhen gjyqtarë për Kushtetuesen, pasi rrezikohet paanësia e tyre.

Një shkak tjetër i përmendur, është edhe shmangia e rregullores. Kjo, pasi sipas pretendimit, relatori i çështjes nuk është zgjedhur sipas shortit, por ka qenë që më parë i zgjedhur. Në këto kushte, ka konflikt interesi mbi përzgjedhjen, pasi ka ndodhur në favor të një pale.

Por, çfarë ndodhi?

Pas tërheqjes për mbi një orë të trupës gjykuese, vendimi ishte i qartë.

Pretendimet e presidentit për kryetaren e gjykatës, Vitore Tusha, se i ka tejkaluar mandati, u rrëzua duke argumentuar se nuk është një pretendim kushtetues.

U rrëzua po ashtu edhe pretendimi i Metës për hedhjen e shortit për emërimin e gjyqtarit relator të çështjes. E njëjta gjë, edhe për emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses, të cilët u cilësuan si “të anshëm” nga përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishi.