Bota

Gjykata shkarkon presidentin e Koresë së Jugut!

Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut mbajti në fuqi vendimin për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol, për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës, duke e larguar atë nga posti dhe duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja pas muajve të trazirave politike. 64 vjeçari u shkarkua nga ligjvënësit për përpjekjen e tij më 3 dhjetor 2024, për të përmbysur sundimin civil, duke dislokuar ushtarë të armatosur në parlament. Në një çështje të ndarë penale, u arrestua nën akuzat për kryengritje.

Miliona qytetarë në Korenë e Jugut ndoqën vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u transmetua drejtpërdrejt nga mediat.

Duke pasur parasysh ndikimin negativ dhe pasojat e mëdha të shkeljeve kushtetuese nga ana e të paditurit… Ne e shkarkojmë presidentin Yoon Suk Yeol, deklaroi ushtruesi i detyrës të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Moon Hyung-bae kur lexoi vendimin.

Yoon kërkoi falje:

Më vjen keq që nuk munda të përmbush pritshmëritë tuaja.

Gjykata e argumentoi vendimin duke theksuar se me veprimet e tij, Yoon “shkeli parimet themelore të sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike”.

Me dërgimin e ushtarëve në parlament në përpjekje për të ndaluar ligjvënësit që të hedhin poshtë dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së luftës, “shkeli neutralitetin politik të forcave të armatosura”. Gjykatësit thanë se Yoon i dërgoi ushtarët në parlament “për qëllime politike”.

Në fund, veprimet e paligjshme dhe jokushtetuese të tij janë tradhti ndaj besimit të popullit dhe përbëjnë shkelje serioze të ligjit që nuk mund të tolerohet.

Ligjvënësit opozitarë e përshëndetën vendimin, duke e cilësuar “historik”. Yoon është presidenti i dytë koreanojugor që gjykata largon nga pushteti, pasi Park Geun-hye u shkarkua më 2017-ën. Sot policia rriti praninë në Korenë e Jugut, për shkak se para gjykatës u mblodhën protestues kundër Yoonit.

Yoon, i cili ka mbrojtur vendimin për të përmbysur sundimin civil duke argumentuar se ishte i nevojshëm për të çrrënjosur “forcat antishtetërore”, ende ka mbështetës të flaktë. Jashtë shtëpisë iu mblodhën përkrahës që shpërthyen në lot kur u lexua vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i dhjetorit i Yoonit shkaktoi trazira politike në Korenë e Jugut, duke nxitur valë protestash. Të paktën dy persona, mbështetës të tij, kanë gjetur vdekjen gjatë protestave këtë vit.