Gossip

Goditje për Angelina Jolie! Gjykata i jep të drejtë Brad Pitt-it në betejën për Château Miraval?

Brad Pitt ka shënuar një fitore të rëndësishme në përplasjen ligjore shumëvjeçare me ish-bashkëshorten e tij, Angelina Jolie, lidhur me vreshtarinë luksoze franceze Château Miraval.

Një vendim i fundit gjyqësor ka anuar në favor të aktorit hollivudian, duke e detyruar Jolie-n të dorëzojë email-et dhe mesazhet që lidhen me shitjen e aksioneve të saj në këtë pronë.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, gjyqtari ka vendosur që komunikimet e aktores në lidhje me marrëveshjen e shitjes duhet të bëhen pjesë e procesit të provave. Jolie ka 45 ditë afat për t’i dorëzuar ato.

Një burim pranë çështjes ka deklaruar se këto email-e pritet të tregojnë se Jolie “nuk ka qenë e sinqertë që në fillim për qëllimet reale të shitjes së pjesës së saj”.

Nga ana tjetër, avokati i saj, Paul Murphy, ka reaguar ashpër, duke u shprehur i zhgënjyer nga interpretimi i gjykatës dhe duke paralajmëruar apelim të vendimit.

Brad Pitt e kishte paditur ish-gruan për shitjen e paligjshme të aksioneve të saj të Château Miraval te Stoli Group në vitin 2021, duke pretenduar se ata kishin një marrëveshje të përbashkët që asnjëri të mos shiste pjesën e tij pa pëlqimin e tjetrit.

Çifti e kishte blerë pronën në vitin 2008 për rreth 28.4 milionë dollarë, me synimin që ajo të shndërrohej në një biznes familjar dhe shtëpi për fëmijët e tyre.

Në dokumentet gjyqësore, Pitt pretendon se Jolie ka komunikuar për shitjen me menaxherë biznesi dhe këshilltarë financiarë, komunikime që sipas tij janë thelbësore për zbardhjen e së vërtetës. Aktori argumenton se këto biseda nuk mbrohen nga privilegji ligjor, pasi nuk janë zhvilluar drejtpërdrejt me avokatë.

Nga ana e saj, Jolie ka këmbëngulur se këto materiale përfshijnë diskutime ligjore dhe se kërkesa e Pitt është një përpjekje për ta kontrolluar dhe ngacmuar atë edhe pas divorcit.

Beteja për Château Miraval, një nga pasuritë më të shtrenjta të ish-çiftit, duket se është ende larg përfundimit, por ky vendim përbën një avantazh të rëndësishëm për Brad Pitt në këtë përballje ligjore që vazhdon prej vitesh.