Në ditën e kërkimit parlamentar, ambasadori i Bashkimit Evropian Silvio Gonzato i kërkon secilës palë në Kuvend të bëjë më shumë për integrimin, tashmë që vendi ka hyrë në fazën më të vështirë të mbylljes së negociatave. Thirrja e Gonzatos vjen në një kohë, kur emri i tij ka qenë në fokus të opozitës, e cila e ka quajtur përçues të propagandës së Edi Ramës.
Greta Bardeli ishte e para deputete e opozitës e ulur përballë Silvio Gonzatos, që pas nisjes së një serie sulmesh ndaj tij nga Partia Demokratike.
Ata i bëri bashkë, një aktivitet i Kuvendit në ditën e Kërkimit Parlamentar, nga i cili ambasadori i kujtoi të gjitha palëve të Kuvendit, përfshirë opozitës rolin që duhet të luajnë në procesin e integrimit, tashmë që ka hyrë në fazën vendimtare të mbylljes së kapitujve
“Shqipëria hapi të gjithë grup-kapitujt, arritje e qartë, mbyllja e grupkapitujve më e vështirë. Të gjithë aktorët duhet të luajnë rolin e tyre, jemi faze komplekse teknike dhe politike”,- tha Gonzato.
Të njëjtin thirrje pati edhe ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber.
“Rol jo vetëm ekzekutivi, edhe legjislativi, parlamenti duhet të performojë mirë duke menduar ritmin e shpejtë të përafrimit me BE”.- tha Huber.
Aktiviteti, riktheu në skenën publike edhe ish ministren e Integrimit Klajda Gjosha. Ish funksionarja e ish LSI-së, u kërkoi ligjvënësve që kur hartojnë ligje në interes të qytetarëve, të harrojnë përkatësinë politike.
“Debatet në kuvend në interesa partiake, diskutimi që duhet të bëni është si ti shërbeni qytetarëve, brenda këtyre dyerve nuk ka rëndësi cilës parti i përkisni”,- tha Gjosha.