Aktualitet Zgjedhjet 2025

Gonzato takoi Celibashin: SPAK-u ka besimin tonë në luftën ndaj krimeve zgjedhore!

Në kuadër të organizimit të zgjedhjeve politike të 11 Majit, ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, me fokus te mbarëvajtja e procesit, si edhe problematikat e hasura deri më tani.

Duke i cilësuar “të rëndësishme” zgjedhjet e 11 Majit, ambasadori Gonzato vlerësoi punën e bërë deri më tani nga KQZ-ja e vuri në dukje se BE-ja ka besim te SPAK-u për të luftuar krimet zgjedhore që garantojnë një proces me integritet dhe demokratik.

Doja të kisha një përditësim të të dhënave dhe se si mund të vijonim bashkëpunimin dhe mbështetjen e KQZ-së për zhvillimin e zgjedhjeve. Gjithashtu edhe pas zgjedhjeve, ne do të vijojmë të mbështesim në mënyrë financiare KQZ-në, për të vijuar me punën fantastike të bërë deri më sot.

Ne kemi besim se ODIHR-i do të bëjë një punë të shkëlqyer dhe kemi besim në punën e SPAK-ut për të luftuar krimin e organizuar. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave. SPAK-u ka një detyrë të rëndësishme. BE-ja është këtu për të mbështetur Shqipërinë, jo të ndërhyjmë në procese. Nuk jemi këtu për të manipuluar asgjë.

Lidhur me votën e Diasporës, ambasadori Gonzato deklaroi:

KQZ-ja ka bërë një punë të mirë dhe procesi ka qenë transparent, ku të dhënat deri më tani janë të gjitha online.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u shpreh se ka komunikim të vazhdueshëm me SPAK-un mbi denoncimet apo informacionet që vijnë lidhur me krimet zgjedhore.

Ishte një takim për të dhënë informacion mbi përgatitjen e zgjedhjeve deri tani. Ashtu siç tha edhe ambasadori, jemi në proces të vazhdueshëm bashkëpunimi me BE-në për procesin zgjedhjeve në tërësi, por edhe me KQZ-në, bashkëpunim që do të vijojë edhe pas procesit të zgjedhjeve.

Shqipëria është në një moment të rëndësishëm të integrimit në BE. Eshtë e rëndësishme që institucionet publike që janë përgjegjëse për organizmin e mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe partitë politike, të reflektojnë përgjegjësinë e tyre për të pasur zgjedhje me integritet.

Kemi komunikim konkret me SPAK-un për problematika të ndryshme dhe denoncime të bëra për procesin zgjedhor. ODIHR-i është një arbitër i pranuar nga të gjitha palët për zgjedhjet në Shqipëri e çdo gjë që thonë, për mua qëndron.