Rajoni

Ankesat për zgjedhjet në Kosovë, PDK dhe Lista Serbe kërkojnë rishqyrtim të rezultatit të zgjedhjeve

Të hënën në mesditë ka përfunduar afati i ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit. Sipas të dhënave, janë pesë ankesa të paraqitura pranë këtij institucioni.

Ankesa kanë parashtruar edhe një herë tjetër dy kandidatët për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Bekim Haxhiu thotë se rezultati përfundimtar i shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i pasaktë.
“Janë evidentuar 221 vota të regjistruara, në regjistrimin fillestar gabimisht, mua si kandidat në këtë rinumërim më janë shtuar 6 vota”, tha kandidati për deputet Bekim Haxhiu.

Qëndrim Kryeziu, po ashtu kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, ka paraqitur ankesë lidhur me pakënaqësitë e njëjta, e bashkë me Haxhiun kërkojnë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve për deputetë nga PDK-ja.

“Ne nuk po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme, po kërkojmë që të kemi numrin e saktë të votave, sepse dihet që ka më shumë gabime sesa që thonë ata”, tha kandidati për deputet Bekim Haxhiu.

Ankesë pranë PZAP-së për rezultatin zgjedhor ka paraqitur edhe Lista Serbe, që pretendon “parregullsi serioze që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve të rezervuara për komunitetin serb”.

Partia më e madhe serbe pretendon se partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash nga votues shqiptarë.

Lidhur me rezultatin përfundimtar, dy ankesa ka paraqitur partia NOVA DEMOKRATSKA STRANKA për parregullsi me vota.

Katër ditë ka kohë PZAP-ja për vendimmarrje, e më pas palët mund të ankohen në Gjykatën Supreme. Vetëm pas vendimmarrjes së Supremes, KQZ mund të certifikojë rezultatin dhe t’i hapë rrugë formimit të institucioneve.