Tech

Google Chrome do të vijë me një funksion të ri të mbështetur nga teknologjia e inteligjencës artificiale!

Google Chrome do të vijë me një funksion të ri. Bëhet fjalë për një funksion të mbështetur nga teknologjia e inteligjencës artificiale, i cili mundëson shfaqjen e komenteve (recensioneve) për dyqanet online, me qëllim që blerja të jetë më e sigurt dhe më efikase. Funksioni është i disponueshëm duke klikuar në ikonën që ndodhet në të majtë të adresës së faqes në shfletues. Klikimi krijon një dritare pop-up, e cila jep informacion mbi reputacionin e përgjithshëm të dyqanit, si dhe ofron të dhëna për cilësinë e produkteve, çmimet, shërbimin ndaj klientit dhe politikën e kthimeve.

Këto dritare pop-up krijohen nga AI duke analizuar komentet e përdoruesve nga partnerë të ndryshëm, përfshirë Reputation.com, Reseller Rating, ScamAdviser, Trustpilot dhe disa të tjerë. Për momentin, funksioni është i disponueshëm vetëm për blerësit në SHBA dhe gjuha e vetme e mbështetur është anglishtja. Po ashtu, aktualisht është i kufizuar vetëm për shfletuesit në kompjuterë desktop. Nuk ka ende konfirmim nëse ky funksion do të jetë i disponueshëm edhe në pajisje mobile.

Funksioni i ri pritet të ndihmojë Google-in që të konkurrojë me Amazon-in, i cili tashmë përdor inteligjencën artificiale për të përmbledhur vlerësimet e produkteve dhe të ngjashme. Ky është vetëm hapi më i fundit që kompania ka ndërmarrë për të integruar AI-në në përvojën e blerjes. Kohët e fundit, Google ka prezantuar mundësinë e provës virtuale të veshjeve dhe kozmetikës dhe po zhvillon mjete për ofrimin e rekomandimeve të personalizuara për produkte, si dhe ndjekjen e përmirësuar të çmimeve.