Rajoni

Greqia në grevë, kundër ligjit të ri të punës!

Greqia e paralizuar sot nga një grevë e përgjithshme mbarëkombëtare 24 orëshe, e dyta brenda dy javësh, në shenjë proteste ndaj projektligjit të ri të punës, që mes të tjerash, parashikon mundësinë e punës deri në 13 orë në ditë tek i njëjti punëdhënës.

Kjo grevë që mbahet pa thirrjen e Konfederatës së Përgjithshme të Punës (GSEE), është shpallur nga 38 Qendra të Punës, një numër rekord pjesëmarrjeje, si dhe nga ADEDY, federata e punonjësve të sektorit publik e dhjetëra sindikata të sektorit privat.

Protestuesit kërkojnë që projektligji të mos miratohet në parlament dhe presin rikthimin e javës 35-orëshe, punës 5-ditore e pagave të 13-të e të 14-të. Gjithashtu, ata kërkojnë paga dinjitoze dhe kushte të sigurta pune, ndërsa punonjësit në shtet kërkojnë edhe heqjen e disiplinës së re ligjore për administratën publike.

Sipas deklaratës së ADEDY-t, “qeveria, në vend që të mbështesë të ardhurat e punëtorëve dhe të forcojë shërbimet publike, zgjedh të aprovojë ligj për punën e tepërt dhe oraret rraskapitëse, duke imponuar heshtje në vendet e punës”.

Ndërkohë, PAME, sindikata që mbështet Partinë Komuniste , e quan këtë projektligj “një përpjekje për të krijuar skllevër modernë në epokën e Inteligjencës Artificiale”. Ajo kërkon rritje reale të pagave përmes marrëveshjeve kolektive, në mënyrë që askush të mos detyrohet të punojë 13 apo 14 orë në ditë për të mbijetuar.

Në protesta janë bashkuar edhe studentë e nxënës, të cilët kundërshtojnë, siç thonë, “ritmin çnjerëzor të punës së prindërve të tyre dhe shtimin e presionit në shkolla”.

Tubime dhe marshime proteste zhvillohen në dhjetëra qytete të Greqisë

Në Athinë, sindikatat kanë thirrur qytetarët në Sheshin Syntagma në orën 11:00 paradite, ndërsa PAME zhvillon grumbullimin e saj në Propylaia që prej orës 10:30. Në Selanik, protesta kryesore mbahet pranë përmendores së Venizelosit.

Protestat pritet të zgjasin gjatë gjithë ditës, ndërsa transporti publik, shkollat dhe shërbimet publike funksionojnë me pengesa të shumta për shkak të pjesëmarrjes së gjerë në grevë.