Rajoni

Greqia në flakë, shpall emergjencën/Plan për turistët që rrezikohen nga zjarret!

Greqia shpalli gjendjen e emergjencës e ngriti shtabin e evakuimit për të gjithë turistët e huaj që duan të largohen për shkak të zjarreve. Me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme u krijua shtabi i posaçëm i krizave, me qëllim nisjen e evakuimit për mijëra turistë të izoluar prej zjarreve masive në ishullin e Rodosit.

Situata është tepër e vështirë në terren ndaj dhe autoritetet greke kanë nisur planin e evakuimit për 30 mijë deri në 50 mijë të huaj që duan të largohen. Deri tani, ky proces përfundoi për 8 mijë deri në 10 mijë vetë.

Nga dje pasdite, në zonë po dërgohen qindra zjarrfikës, policë dhe ekipe shpëtimi. Vetë ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Notis Mitaraqis fluturoi atje. Me kalimin e orëve, situata po bëhet dramatike.

Autoritet greke hapën kampe fushimi për të pritur turistët e banorët në nevojë. Forcat zjarrfikëse po punojnë për të izoluar tre vatra gjigante që po djegin qindra hektarë pyje. Disa hotele u dëmtuan ndërsa ka raportime për dhjetëra banesa të djegura.

Në një rast u desh ndërhyrja e Marinës Detare e banorëve, për të evakuar qindra turistë e klientë të një hoteli që u rrethua nga flakët. Ishulli i Rodosit në Egjeun Lindor, njëherazi destinacion pushimesh për shumë shqiptarë, është përfshirë nga zjarre të frikshme.

Dëmet llogariten në miliona euro dhe autoritetet thonë se turizmi i ishullit të Rodosit ka marrë një goditje të rëndë në kulmin e sezonit turistik.

Kampi i Njësisë së Fatkeqësive Nënujore po hapet në zonën Kalathos të Rodosit. Tre tragete pasagjerësh me kapacitet akomodues mbi 1 mijë e 200 persona u ankoruan në portin e Rodosit, për të pritur turistët që u larguan nga zonat e flakëve.

70 autobusë turistikë u siguruan edhe nëpërmjet Federatës Panhelenike të Ndërmarrjeve Turistike, për të transportuar turistët. Lidhur me akomodimin e ushqimin e të prekurve, u ndanë sallat e konferencave të hoteleve.

Zjarret dogjën banesa në fshatrat Kiotari, Lardhos, Pylonas e Asklipio.

Në telefona, banorëve u ka shkuar një SMS nga numri i emergjencave civile 112 për evakuim urgjent nga zonat në rrezik. Në plazhet e Kiotarit, Marina Detare shpëtoi më tepër se 2 mijë e 500 turistë dhe personel që ndodheshin në 4 hotele të djegur plotësisht.