Bota Botë e Çuditshme

Gruaja më e moshuar në botë feston 116-vjetorin e lindjes!

Gruaja më e moshuar në botë, britanikja Ethel Caterham, festoi të enjten 116-vjetorin e lindjes, vetëm pak muaj pasi mori titullin pas vdekjes së murgeshës braziliane Inah Canabarro Lucas. Caterham, e lindur më 21 gusht 1909 në Shipton Bellinger, në jugperëndim të Anglisë, e priti ditëlindjen në qetësi me familjen e saj në një qendër kujdesi në Surrey, në jug të Londrës.

“Ethel dhe familja e saj janë shumë mirënjohës për mesazhet e shumta dhe interesin që i është treguar”, deklaroi qendra Hallmark Care Homes.

Në ditëlindjen e saj të 115-të, ajo mori një letër nga Mbreti Charles III-të, në të cilën shkruante se ishte “i inkurajuar nga historia personale magjepsëse e Ethelit”. Ethel Caterham është stërgjyshe, ka tre nipër e pesë stërnipër, ndërsa ka kaluar humbjen e bashkëshortit Norman që vdiq në vitin 1976 dhe të dy vajzave të saj. Ajo ka treguar se sekreti i jetëgjatësisë është i thjeshtë:

Nuk grindem me askënd. Dëgjoj dhe bëj atë që më pëlqen.

Në jetën e saj ka përballuar ngjarje të mëdha historike, ka luajtur deri në pleqëri, ka ndaluar së drejtuari makinën vetëm pak para se të mbushte 100 vjeç dhe madje ka mbijetuar COVID-19 në moshën 110-vjeçare. Caterham ka lindur në Shipton Bellinger në Hampshire dhe është rritur në Tidworth, Wiltshire. Në moshën 18-vjeçare, ajo u punësua si dado në një familje ushtarake në Indi.

U kthye në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1931 dhe atje njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm, Norman Caterham. U martuan në katedralen e Salisburyt në vitin 1933. 50 vitet e fundit i ka kaluar duke jetuar në Surrey dhe ka drejtuar vetë veturën deri në moshën 97-vjeçare. Një nga motrat e saj, Gladys, ka jetuar deri në moshën 104-vjeçare.

Sipas Guinness World Records, grupit kërkimor amerikan Gerontological Research Group dhe bazës LongeviQuest, Caterham është aktualisht njeriu më i moshuar në botë. Rekordin absolut e mban francezja Jeanne Calment, e cila jetoi 122 vjet e 164 ditë deri në vdekjen e saj më 1997.