Aktualitet

Hekurudha Vorë-Han i Hotit, hapet gara ndërkombëtare!

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zyrtarisht hap garën ndërkombëtare për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:

Sot çelim garën ndërkombëtare për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Një hekurudhë e cila lidh edhe njëherë Shqipërinë me Malin e Zi, një vend me të cilin ndajmë histori, tradita të përbashkëta, por mbi të gjitha aspirantën e madhe për t’u bërë sa më parë anëtarë të BE-së.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato:

Projekti i zgjerimit të linjave hekurudhore në rajon dhe transportit me mënyrat më miqësore ndaj mjedisit është në vëmendjen e BE-së. Mezi presim edhe çeljen e projektit të Korridorit 8. Presim zhvillimin e projektit në proces. Shpresoj që kjo linjë hekurudhore të përurohet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse është ekologjike, i shërben zhvillimit dhe njerëzit lëvizin lirshëm dhe ekologjikisht.

Më herët, më 11 dhjetor, Hekurudha Shqiptare çeli në sistemin e prokurimit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tenderin për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit e një sërë elementësh plotësues të saj. Konkretisht, në objekt të kontratës thuhet se janë “Ndërtimi i seksionit hekurudhor Vorë-hekurudha Hani i Hotit, duke përfshirë punimet civile dhe sistemin zanor për sinjalizimin, telekomunikacionin”.

Në detajet e procedurës thuhet se ajo do të zhvillohet në dy faza dhe kjo që sapo është çelur është faza e parë e ftesës për parakualifikim nga subjekte të interesuara për të qenë zbatuese të këtij projekti. Data e fundit e përmbylljes së kësaj faze të parë të ftesës për parakualifikim është deri më 24 janar 2025.

Në fund të vitit të shkuar, Hekurudha çeli procedurën që lidhej me dizajnin e projektit të këtij segmenti hekurudhor që deri në fund të verës përfundoi fazën e parë të tij të parakualifikimit të disa prej kompanive të interesuara që kishin paraqitur interes.

Kosto totale e projektit është rreth 356 milion euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, ku vendi ynë ka kërkuar hua.

Kështu 98.7 milion euro janë hua nga BERZH-i dhe 100 milion euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve. Kësaj i shtohen 133 milionë euro grant investimi nga Bashkimi Europian por edhe fonde te buxhetit. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.

Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.

Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit (km 140). Sipas ndarjes administrative, hekurudha përshkon territoret e shtatë bashkive (Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau Dejës, Shkodër dhe Malësi e Madhe.