Aktualitet

Helmimi i 64 studentëve tek Akademia e Sigurisë, administratorja e Sori-Al: Kemi shpërndarë ushqimin në kushte higjienike!

Komisariati nr. 1 në Tiranë ka marrë në pyetje administratoren e Sori-Al, e cila ka deklaruar se ka bërë çdo ditë furnizimin me ushqim për studentët e Akademisë së Sigurisë, siç e parashikon kontrata. Ajo ka thënë se çdo vakt ushqimor është gatuar dhe më pas shpërndarë sipas procedurave normale duke respektuar kushtet e higjenës.

Në pyetje gjithashtu është marrë kuzhinieri, stafi tjetër që bën ndarjen e ushqimin në porcione për studentët, stafi i shpërndarjes etj.

Në pyetje gjithashtu janë marrë dhe studentët e helmuar. Deri në këtë fazë të hetimit, asnjë person nuk është marrë në hetim sa i takon skandalit të dytë.

Hetuesit po mbledhin provat dhe do të jetë Prokuroria më pas që do të vendosë se cilët persona do të vendosen nën hetim në lidhje me helimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Salla: Kemi marrë masat për izolimin e ambienteve, analizat do të vërtetojnë shkakun

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tha se institucionet kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të izoluar dhe bllokuar ambientet në Akademinë e Sigurisë që lidhen me helmimin e 64 kursantëve. Salla shtoi se janë në pritje të analizave për të përcaktuar shkakun e helmimit.

“Kemi marrë të gjitha masat për të izoluar dhe bllokuar ambientet në Akademi, por po ndiqet nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Në helmimin e parë s’kemi pasur helmim prej ushqimeve, por prej higjienës dhe këtë e kanë treguar analizat. Do të presim analizat sot për të vërtetuar nga vjen shkaku dhe ku është problematika dhe pasoja që na duhet t’i parandalojmë nëpërmjet AKU, por kemi marrë masat e nevojshme”, tha ministri.

Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje. Dosja e helmimit të dytë pritet të bashkohet në një të vetëm me helmimin e rastit të parë, ngjarje e ndodhur në fillim të muajit maj të këtij viti. Përveç kompanisë SORI-AL, që çon ushqimin me katering në Akademi, hetimet janë shtrirë edhe për institucionin e AKU-së. Sipas burimeve ky institucion po hetohet për të verifikuar nëse pas rikthimit të aktivitetit të SORI-AL në Akademi, ka kryer ose jo kontrolle të tjera në ambientet e saj gjatë 2 muajve të fundit.