Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar rolin e tij në zgjedhjet e zhvilluara së fundmi, ku republikanët pësuan disfatë të thellë në shtetet e Virxhinias dhe Nju Xhersit, ku demokratët fituan garën për Guvernator.
Por të dhënat tregojnë se rezultatet ishin një refuzim i drejtpërdrejtë ndaj tij, analizon CNN.
Sipas një sondazhi të CNN, 41% e votuesve thanë se vota e tyre kishte për qëllim të kundërshtonte Trumpin, ndërsa vetëm 21% thanë se donin ta mbështesnin. Ky është hendeku më i madh anti-president që nga viti 2006, kur republikanët humbën ndjeshëm nën presidencën e George W. Bush.
LEXO EDHE: PROFIL/ Kush është Zohran Mamdani, kandidati demokrat që fitoi zgjedhjet në Nju Jork!
Në Virxhinia, diferenca midis votuesve anti-Trump dhe pro-Trump u rrit nga 17 pikë në vitin 2017 në 22 pikë këtë vit. Në Nju Xhersi, hendeku u zgjerua nga 17 pikë në 2017 në 28 pikë në 2025.
Sipas analizës së CNN, analistët thonë se lëvizja anti-Trump mbetet e fuqishme dhe e motivuar, ndërsa baza e tij republikane duket e lodhur dhe më pak entuziaste. Vetëm një në pesë votues deklaron se do të votojë për të mbështetur ish-presidentin.
Rezultatet sinjalizojnë një problem serioz për Partinë Republikane dhe përpjekjet e Trump për të ruajtur dominimin e tij politik përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2026.
Pas rezultateve zhgënjyese të republikanëve në zgjedhjet lokale të së martës, përfshirë edhe fitoren historike të Zohran Mamdanit në Nju Jork, Donald Trump ka reaguar me tone mbrojtëse, duke u përpjekur të distancohet nga humbjet e partisë së tij.
Në një postim në Truth Social, Presidenti i SHBA shkroi: “Trumpi nuk ishte në fletëvotimi dhe mbyllja e qeverisë ishin dy arsyet pse republikanët i humbën zgjedhjet sonte”, duke ia atribuar dështimet faktorëve të jashtëm si mbyllja e përkohshme e qeverisë federale dhe mungesa e tij në garat lokale.
Trump kishte ndërhyrë personalisht në disa gara, përfshirë ato në New Jersey dhe Virxhinia, ku kishte mbështetur Jack Ciattarelli dhe Winsome Earl-Sears, të cilët gjithashtu pësuan humbje. Një ditë para zgjedhjeve, ai u kishte bërë thirrje mbështetësve të tij që të votonin ish-guvernatorin Andrew Cuomo në vend të demokratit Zohran Mamdani dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa në garën për kryebashkiakun e Nju Jorkut.