Hungarezët po votojnë në zgjedhjet parlamentare, ku gara kryesore është mes kryeministrit aktual, Viktor Orban, prej 16 vitesh në pushtet e udhëheqësit opozitar, Peter Magyar. Qendrat e votimit u hapën në orën 06:00 e do të mbyllen më 19:00.
Zgjedhjet hungareze po vëzhgohen me kujdes nga Kievi e Moska, si dhe nga Bashkimi Europian, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ofroi mbështetje për Orbanin, i cili mban lidhje të ngushta me Rusinë, edhe pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës, në shkurt 2022.
Sondazhet sugjerojnë se partia konservatore proeuropiane e Magyarit, i cili ka premtuar “ndryshim të sistemit”, po udhëheq dukshëm ndaj partisë së Orbanit, Fidesz. Të dyja kampet kanë hedhur akuza për ndërhyrje të jashtme gjatë fushatës në Hungari, që ka 9.5 milion banorë.
Analistët presin pjesëmarrje rekord në zgjedhje, prej 75%.
Në garë po marrin pjesë vetëm 5 parti, me disa të tërhequra nga gara, për të rritur shanset e fitores të partisë Tisza.
Rezultatet paraprake pritet të dalin pak pasi të mbyllen vendvotimet, por nëse gara është e ngushtë, fituesi mund të mos shpallet derisa të përfundojë numërimi i të gjitha votave, deri të shtunën e ardhshme, sipas Zyrës Kombëtare Zgjedhore.
Orban, 62 vjeç, po synon mandatin e gjashtë radhazi.
Si anëtar i BE-së, ai ka arritur të bllokojë apo zbusë shumë vendime të BE-së për sanksionet ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Po ashtu ka penguar disa vendime për mbështetjen e BE-së për Ukrainën.
Magyar, 45 vjeç, hyri në skenën politike dy vjet më parë, duke fituar mbështetje në mes të stanjacionit ekonomik.
Udhëheqësi i partisë Tisza, Peter Magyar, iu bëri thirrje hungarezëve “të rimarrin atdheun” për të konfirmuar vendin e Hungarisë në BE, si dhe premtoi se do të luftojë korrupsionin e do të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët.
Në tubimet zgjedhore, Orban paralajmëroi “të mos vihet gjithçka në rrezik”, duke bërë thirrje që të “mbrohet ajo çfarë është arritur.
Sipas organizatës Amnesty International, Hungaria, së bashku me Bullgarinë, janë shtetet më të korruptuara të BE-së.