Marius Borg Høiby, djali i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, është dënuar me katër vjet burg pasi u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë dy akuza për përdhunim. Gjykata e Distriktit të Oslos i vendosi gjithashtu një urdhër ndalimi dyvjeçar ndaj njërës prej viktimave të dyshuara.
Vendimi u dha sot, rreth tre muaj pas përfundimit të një gjyqi gjashtë-javor që kishte tërhequr vëmendje të madhe publike.
Gjykatësi Jon Sverdrup Efjestad e shpalli Høiby-n fajtor për sulm ndaj ish-të dashurës së tij, Nora Haukland, e vetmja viktimë e dyshuar e identifikuar publikisht.
Në total, Høiby u përball me 40 akuza, përfshirë katër për përdhunim dhe sulm, shkelje të urdhrave të mbrojtjes, si dhe vepra penale të lidhura me drogën e drejtimin e automjetit. Një akuzë për shkelje të urdhrit të mbrojtjes u rrëzua më vonë.
Høiby, 29 vjeç, ka deklaruar se nuk është fajtor për akuzat më të rënda, përfshirë përdhunimin, por ka pranuar disa vepra më të lehta penale.
Gjyqi zhvillohet në një periudhë të vështirë për familjen mbretërore norvegjeze, e cila po përballet edhe me problemet shëndetësore të Princeshës së Kurorës Mette-Marit.
Javën e kaluar, gjykata kishte shqyrtuar mundësinë e lirimit të Høiby-t për arsye familjare, por kërkesa u refuzua nga gjykata e apelit.
Gjyqi ka tërhequr vëmendje të madhe në Norvegji dhe ndërkombëtarisht.