Bota

I dërguari i Trump për Ukrainën: Takim me rusët javën që vjen në Arabinë Saudite, armëpushimi brenda 2 javësh!

Armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë «brenda dy javësh».

Ky është parashikimi i dërguarit të Donald Trumpit për konfliktin në Ukrainë, Steve Witkoff, i cili tha se negociatat teknike mes amerikanëve dhe rusëve do të fillojnë të hënën në Arabinë Saudite.

«Besoj se të hënën ekipet teknike do të shkojnë në Mbretëri», deklaroi Witkoff për Bloomberg Television, duke kujtuar se gjatë telefonatës së djeshme, Vladimir Putin dhe Donald Trump «ranë dakord për një rrugë drejt disa kushteve për armëpushim… dhe drejt një armëpushimi të plotë, i cili do të negociohet në ditët në vijim. Mendoj se brenda dy javësh do të arrijmë aty».

Presidenti Donald Trump ka diskutuar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për furnizimin me energji elektrike dhe për centralet bërthamore. Ai ka propozuar që këto impiante të kalojnë nën kontrollin e SHBA-së.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Sipas Trumpit, “Shtetet e Bashkuara mund të jenë një ndihmë e madhe në menaxhimin e këtyre centraleve falë përvojës së tyre në sektorin e energjisë elektrike dhe shërbimeve publike”.

Megjithatë, kjo do të thoshte që Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga kontrolli mbi to.

“Pronësia amerikane mbi këto centrale do të ishte mbrojtja më e mirë për këto infrastrukturë dhe një mbështetje për sistemin energjetik të Ukrainës”, tha Leavitt.