Një kontroll rutinë i policisë italiane në një autostradë në Padova çoi në arrestimin e një 33-vjeçari shqiptar. Në automjet iu gjet mbi 1 kilogram kokainë.
Sipas autoriteteve, makina u ndal pranë zonës së shërbimit Limenella, teksa lëvizte me shpejtësi të lartë. Gjatë kontrollit, drejtuesi u shfaq i shqetësuar dhe nuk arriti të jepte shpjegime të qarta për destinacionin e udhëtimit.
Sjellja e tij ngriti dyshime te efektivët, të cilët vendosën ta shoqëronin në Komisariatin e Padovës për një kontroll më të detajuar.
Në mjet u zbulua një mekanizëm elektronik që hapte një hapësirë të fshehtë, ku ishte vendosur një pako me mbi 1 kilogram kokainë shumë të pastër. Hetuesit vlerësojnë se droga kap një vlerë mbi 30 mijë euro në tregun me shumicë, ndërsa e shitur në doza, mund të sillte më shumë se 100 mijë euro fitim.
Gjatë verifikimeve, policët konstatuan edhe se 33-vjeçari kishte krahun e dorën e fashuar. Ai iu tha se ishte plagosur gjatë një përleshjeje me persona të panjohur, pa dhënë shpjegime.
Shqiptari u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe u dërgua në burgun e Padovës në pritje të masës së sigurisë. Ndërkohë, autoritetet italiane nisën procedurat për t’i revokuar lejen e qëndrimit.