Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili që prej tetorit të kaluar ndodhet në paraburgim, kërkon ndryshim të masës së sigurisë, duke parashtruar para GJKKO-së një sërë argumentesh që sipas tij, ia bëjnë mbajtjen në qeli “në shkelje të ligjit”. Sipas Metës, pas më shumë se 8 muajsh “Arresti me burg”, vazhdimi i qëndrimit në këtë masë nuk është gjë tjetër, veçse një përndjekje inkuizitore që nuk ka asnjë nuancë apo lidhje me shtetin e së drejtës.
Në argumentet e parashtruara para GJKKO-së, Meta thekson se po mbahet arbitrarisht në paraburgim, ndërsa shton se nuk ka asnjë mundësi për ndërhyrje në prishje provash, përfshi këtu edhe provat me dëshmitarë.
Kuptohet se nuk jemi në këtë seancë për herë të parë, që nënkupton për vleftësimin e masës së sigurimit, jemi për të verifikuar nëse kjo masë duhet të vazhdojë të qëndrojë edhe pas më shumë se tetë muajve që i akuzuari, President i Partisë Lirisë dhe ish-President i Republikës gjendet nën masën e sigurimit personal arrest me burg.
Në këtë rast, i pandehuri ndodhet në paraburgim prej datës 20 tetor 2024 pa përfundim të hetimeve dhe pa një aktakuzë të formuluar në mënyrë përfundimtare. Kjo përbën zvarritje të pajustifikuar procedurale e bie ndesh me nenin 5 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe me Nenin 27 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Shqyrtimi gjyqësor i kërkesës për revokim ose zëvendësimi i masës sigurimit “arrest me burg” me një masë tjetër, gjykata duhet të mbajë parasysh Nenin 4, Paragrafi i Parë i Kodit Pr. Penale kur thotë se: “çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit” në rastin objekt gjykimi, prezumimi është në favor të lirimit të të arrestuarit. Neni 5/3 i Konventës nuk i jep autoritetit gjyqësor të drejtën të zgjedhë në mënyrë alternative midis të akuzuarit në gjyq brenda një kohë të arsyeshme, ose dhënies atij të lirisë përkohshme deri në kohën e gjykimit (Neumeister kundër Austrisë) 1968, thuhet në argumentet mbrojtëse.
Më tej, avokatët mbrojtës të Metës theksuan se prej momentit të vendosjes së masës së paraburgimit, prokuroria nuk ka kryer veprime hetimore substanciale. Në këtë kuadër, kërkuan zëvendësimin e paraburgimit me një masë sigurie më të lehtë dhe vlerësimin e ligjshmërisë së zgjatjeve të bëra deri tani.
Masa e paraburgimit është zgjatur në mënyrë të përsëritur, pa u kryer veprime hetimore konkrete. Kjo përbën zvarritje procedurale që bie ndesh me të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe me parimin e proporcionalitetit. Prokuroria ka patur kohë të mjaftueshme për hetime, por nuk ka justifikuar asnjë veprim të vonuar.
Në këtë kontekst, kërkojmë zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të lehtë sigurie dhe vlerësimin e ligjshmërisë së zgjatjeve të bëra deri tani. Prej momentit të vendosjes së masës së paraburgimit, prokuroria nuk ka kryer veprime hetimore substanciale. Në periudha të gjata kohore, dosja ka qëndruar pa lëvizje procedurale, ndërkohë që i pandehuri mbahet në një masë që cënon rëndë lirinë e tij personale.
Ndërsa prokuroria përmend “rrezikun e largimit” të Metës nga vendi, thuhet më tej në argumentet e paraqitura në GJKKO, “nuk ka asnjë provë konkrete që të tregojë se i pandehuri ka ndërmarrë ose synon të ndërmarrë veprime për t’u larguar”.
Ai ka banesë të përhershme, familje të stabilizuar, punë ose lidhje sociale në territorin e Shqipërisë. Nuk ka asnjë precedent të mëparshëm largimi apo mosbindjeje ndaj autoriteteve. Një ish-president, si çdo person tjetër, ka të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm, përfshirë të drejtën për të qenë i pafajshëm derisa të provohet e kundërta.
Përdorimi i arrestit me burg duhet të jetë masë e fundit dhe jo ndëshkuese, por parandalim i rrezikut të arratisjes, ndërhyrjes në prova apo përsëritjes së veprës penale. Edhe pse koha e kaluar nuk e përjashton ndjekjen penale, mund të ndikojë në proporcionalitetin e masës së arrestit. Në disa raste, GJEDNJ-ja ka theksuar se vonesa të gjata ose mungesë e aktivitetit nga autoritetet mund të ndikojnë në ligjshmërinë dhe arsyetimin e arrestit. Statusi i ish-presidentit nuk e mbron nga ndjekja penale, por në të njëjtën kohë, arrestimi i një ish-udhëheqësi kërkon justifikim më të qartë e të fortë, për të shmangur keqpërdorimin politik të sistemit të drejtësisë.
Mbrojtja e Metës vlerëson se rreziku procedural mund të përballohet me masa më të lehta sigurie si:
Detyrim për paraqitje periodike në polici (neni 234 KPP),
Garanci pasurore (neni 236),
Ndalim i daljes jashtë shtetit (neni 233),
Arrest në shtëpi (neni 237), duke vendosur kufizime me mjete elektronike nëse është e nevojshme.