Nga burgu, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta publikoi një dokument, sipas tij të SPAK-ut e ku tregohet se ish-anëtari i kësaj force politike, Endrit Braimllari ishte personi përgjegjës për firmosjen e lobimeve në emër të LSI-së gjatë periudhës 2018-2019. Në atë kohë, Braimllari ishte Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, ish-LSI/ja dhe Meta shprehet se ai nuk ka pasur funksione në parti, se në atë kohë ende ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës.
Në një postim, Meta akuzon Braimllarin se po përpiqet të fshehë përgjegjësinë e tij dhe t’i mohojë firmat që ka hedhur vetë.
Endrit Braimllari është shembulli më i qartë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë. Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka bërë. Ai është një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie.
Ilir Meta thekson se distancohet nga firmat e hedhura prej Braimllarit, të cilin po ashtu e akuzon se duke dëmtuar Partinë e Lirisë, vazhdoi karrierën politike si i “graduar” i Partisë Socialiste në postin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Ai ngre dyshime edhe mbi rolin e numrit një të SPAK-ut, Altin Dumani, duke e pyetur nëse është ky personi që ka firmosur dokumente zyrtare që po mohohen tashmë.
Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?