Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uron 80-vjetorin e Çlirimit të vendit. Në një mesazh në rrjetet sociale shkruan:
Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, mirënjohja dhe respekti i pakufijshëm shkon për të gjithë martirët e luftës për liri, për të gjithë partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët megjithëse në moshë tepër të re sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.
Sot të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht në këto kohë jo të lehta për vendin, kanë një detyrë po aq të madhe dhe historike, sa edhe bashkëmoshatarët e tyre tetë dekada më parë, që të marrin më shumë përgjegjësi dhe angazhim publik për të garantuar fatet e tyre dhe të ardhmen e Atdheut, të rrezikuar nga tradhtarët e kombit që shesin kufijtë e Shqipërisë, që dëshmorët i mbrojtën me gjak, nga grabitqarët e pashpirt të pronës dhe interesit publik, si dhe nga kolonizatorët e rinj të juntës sorosiane që kërkojnë të zhbëjnë vlerat kombetare, familjare dhe të shtetit të së drejtës.
Përfaqësues të Partisë së Lirisë sot zhvilluan homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në kryeqytet në 80-vjetorin e Çlirimit të vendit ku më herët ishin përfaqësues të shtetit. Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, uroi shqiptarët për Ditën e Çlirimit. Në një deklaratë për mediat, u shpreh se në nisje të ceremonisë kishte edhe një përpjekje nga Garda për ta ndaluar. Blushi akuzoi kryeministrin:
Në nisje të ceremonisë patëm një përplasje me anëtarët e Gardës, që kishin marrë urdhër për të penguar përfaqësuesit e Partisë së Lirisë për të nderuar datën e shënuar, përpjekje kjo që tregon një tentativë të Ramës për të privatizuar edhe këtë datë historike e ndoshta për të dhënë me koncesion edhe Varrezat e Dëshmorëve. Megjithatë ne e kryem këtë ceremoni sepse askush nuk mund të na ndalojë të nderojmë gjakun e dëshmorëve.


