Aktualitet Politikë

80-vjetori i Çlirimit, homazhet e autoriteteve të shtetit te Varrezat e Dëshmorëve!

80-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, autoritetet më të larta bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama, ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e të tjerë u përkulën me respekt dhe vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Shqipëria feston 29 Nëntorin, 80-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Me vendim të Këshillit të Ministrave ky është Vit Jubilar Mbarëkombëtar, për të shërbyer për përkujtimin e përfundimit të betejës së shqiptarëve për çlirimin nga pushtimi nazifashist. Kjo edhe si një përkujtesë e detyrës qytetare të çdo shtetasi shqiptar për të mbrojtur atdheun kur është në rrezik.

Në këtë kuadër, të gjitha institucionet shtetërore e përçuan mesazhin përmes logos së miratuar, në çdo shkresë zyrtare, që do të vazhdojë të përdoret deri në fund të vitit 2024.

Si çdo vit, në program janë një sërë aktivitetesh, në nder të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe sakrificës sublime të tyre.

Institucione të ndryshme të kulturës kanë njoftuar për një program të larmishëm, si një mundësi e shkëlqyer për të festuar kulturën, historinë dhe traditat shqiptare me aktivitete që përfshijnë artin, muzikën, vallen, ekspozita e jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama uroi 29 Nëntorin. Në një postim në rrjetet sociale, shkroi:

MIRËMËNGJES
dhe me Diansin, vogëlushi që erdhi në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” dje, në Ditën e bekuar të Pavarësisë, ju uroj sot të gjithëve Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit!

Për 80 vjetorin e Çlirimit erdhi edhe një mesazh nga ambasada amerikane në vendin tonë që vuri në dukje se është koha për të nderuar sakrificat. Në një postim në rrjetet sociale, theksoi:

Këtë vit, Shqipëria shënon 80 vjet nga çlirimi i saj prej pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore, kohë për të nderuar sakrificat dhe për të festuar qëndrueshmërinë që i dha formë historisë së saj. Gëzuar 80-vjetorin e Çlirimit, Shqipëri!