Botë e Çuditshme

Infektohen me COVID-19 katër luanë në Kopshtin Zoologjik të Barcelonës!

Katër luanë në Kopshtin Zoologjik të Barcelonës në Spanjë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Tre femra me emrin Run Run, Zala, Nima dhe një mashkull i quajtur Kiumbe u testuan pozitiv pasi shfaqën simptoma të lehta të COVID-19.

Autoritetet njoftuan po ashtu se dy anëtarë të stafit gjithashtu dolën pozitivë ndërsa një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar si u infektuan kafshët, por mendohet se ato mund të kenë qenë në kontakt me një anëtar të stafit. Kafshët po trajtohen me ilaçe anti-inflamatore dhe po monitorohen nga afër.

“Luanëve iu dha kujdes veterinar, e ngjashme me atë që iu jepet kur kanë një gjendje gripale dhe ata reaguan mirë,”-thanë kujdestarët në një deklaratë.

Kjo nuk është hera e parë që kafshët infektohet me COVID-19. Në muajin prill në Kopshtin Zoologjik Bronx SHBA, u regjistrua rasti i parë i njohur, ku katër tigra dhe tre luanë dolën pozitivë me koronavirus. Veterinerët sqarojnë se rreziku i infektimit midis kafshëve të kopshtit zoologjik dhe vizitorëve, ndërkohë, është i ulët për shkak të mungesës së afërsisë.