Aktualitet

INSTAT: Vdekshmëria, 10,5 për 100 aksidente rrugore!

Viti i kaluar u mbyll me 1 mijë e 666 aksidente rrugore, nga të cilët janë aksidentuar 1 mijë e 525 persona.

Referuar raportit të INSTAT-it gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,5 për 100 aksidente, nga 14,9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aksidentet rrugore, në 89,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-moshat 0-24 dhe 25-34 vjeç, duke zënë secila nga 24,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Një bilanc tragjik është shënuar me aksidente të ndodhura në orët e fundit në Shkodër. Tre të moshuar kanë ndërruar jetë.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasit:

K.Duka. 28 vjeç, pasi në aksin rrugor Shkodër-Koplik ky shtetas duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin B.T. 84 vjeç, i cili ka humbur  jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

E.M., 35 vjeçe., banuese në Shirokë. Në aksin rrugor Shirokë-Shkodër, kjo shtetase duke drejtuar automjetin e saj, ka përplasur shtetasin S.Rr, 70 vjeç, që lëvizte me biçikletë, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

L.B, 24 vjeçe., pasi ditën e sotme në aksin rrugor Shkodër-Koplik, kjo shtetase duke drejtuar automjetin e saj, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin A.Xh., 70 vjeç, i cili  ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.