Forcimi i partneritetit mes Bashkimit Europian e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë përmes integrimit gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së, në fokus të samitit të radhës BE-Ballkani Perëndimor, sot në Bruksel. Në prag të këtij takimi, presidenti i ri i Këshillit Europian, Antonio Costa, pati një mbledhje joformale me liderët e vendeve të rajonit, ku ndër të tjera janë diskutuar përgatitjet dhe pritshmëritë nga ky samit i përbashkët.
Zhvillimi tashmë i rregullt i samiteve të përbashkëta BE-Ballkani Perëndimor është një prej dëshmive se BE-ja e ka prioritet rajonin, raportet me vendet e tij, si edhe procesin e integrimit të plotë të tyre në BE. Ky përkushtim pritet të ritheksohet edhe kësaj radhe. Kjo përfshihet në draftin e Deklaratës së përgatitur për miratim në samit, tekst në të cilin ka pasur akses edhe Radio Evropa e Lirë.
Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet e prosperitet. Tani ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta e strikte, si dhe parimet e meritave individuale, janë në interesin e përbashkët, thuhet në deklaratën që pritet që ta miratojnë në takim liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe kolegët e tyre nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe me ndryshimin e rrethanave globale, pritet të ritheksohet se partneriteti mes BE-së dhe vendeve të rajonit është më i rëndësishëm se kurrë. Për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit nga ky samit do të dërgohet thirrja që vendet e rajonit sa më shpejt t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me fqinjët, si me vendet anëtare të Bashkimit Europian, ashtu edhe mes tyre në rajon.
Mospajtimet rajonale e dypalëshe që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe me mirëbesim, si dhe me rezultate të prekshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë e Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, mbeten kyçe, thuhet në dokument.
Edhe Serbia e Kosova, kanë ngecur në proces, edhe për shkak të mungesës së progresit në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.