Sot në Bruksel zhvillohet samiti mes Bashkimit Europian e Ballkanit Perëndimor e ku në fokus është dërgimi i një mesazhi të fortë politik për rëndësinë, tani më shumë se asnjëherë më parë të partneritetit strategjik ndërmjet Unionit e rajonit, një partneritet për të cilin raportohet se po përparon në terma e në veprime konkrete.
Ky është i pari samit i thirrur nga presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili, tre ditë pas fillimit të mandatit të tij në postin e lartë, shtroi një darkë joformale me liderët e Ballkanit, duke shfaqur vëmendjen e shtuar për rajonin. Samiti do të ndahet në dy sesione kryesore.
I pari i kushtohet bashkëpunimit politik dhe ekonomik BE-Ballkani Perëndimor. Ndër temat e rendit të ditës, zbatimi i planit të rritjes për rajonin si dhe përshpejtimi e thellimi i angazhimeve politike të BE-së me Ballkanin Perëndimor në fushat e politikës së përbashkët e të sigurisë.
Një tjetër dosje në tryezë do të jetë pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, të një rëndësie thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të partnerëve ballkanikë në Uniom.
Gjatë seancës së dytë, të planifikuar për darkën e punës, diskutimi do të fokusohet në kontekstin gjeopolitik, veçanërisht në luftën në Ukrainë dhe ndikimin hibrid të Rusisë në vendet e rajonit.
Vetë zgjerimi nuk do të jetë temë diskutimi, edhe nëse samiti do të jetë një mundësi për të përsëritur perspektivën europiane të partnerëve ballkanikë. Sipas një zyrtari të lartë europian, ky samit do të pasohet nga një vizitë e Përfaqësueses të Lartë të BE-së në rajon, Kaja Kallas, në fillim të vitit të ardhshëm.