Aktualitet

Integrimi në BE, rregulla të reja transparence për autoritetet publike!

Programet e transparencës janë përmirësuar nga zyra e komisionerit për të drejtën e informimit, duke miratuar dy modele të pasuruara me qëllimin për të rritur nivelin e llogaridhënies institucionale.

Autoriteteve publike ju shtohet detyrimi i publikimit të informacionit online edhe për rrugëtimin e Shqipërisë në BE.

Komisioneri për të drejtën e informimit, Besnik Dervishi, thotë:

“Ndërhyrja kryesore ka të bëjë me procesin e integrimit europian, ku çdo autoritet publik tashmë duhet të vendos në programin e transparencës  të gjithë procesin, dokumentacionin dhe çdo detyrë që ka”.

Ndërsa programi model për pushtetin vendor parashikon përfshirjen e një fushe të re të dedikuar për veprimtarinë e Këshillave Bashkiak, që synon forcimin e transparencën në nivel lokal.

LEXO EDHE: Bien kreditë me probleme, shqiptarët më të rregullt për të shlyer huatë gjatë pushimeve dhe festave!

“Në njësitë e vetëqeverisjes vendore ne i kemi dhënë rëndësi organit vendimmarrës, Këshillave Bashkiak. Pra, ka një rubrikë të veçantë që do të reflektojë aktivitetin dhe vendimet e këshillave”, shprehet Dervishi.

Dy programet model të transparencës për autoritetet publike dhe për njësitë e vetëqeverisjes vendore janë botuar në fletoren zyrtare si përmbushje e detyrimeve që rrjedhin nga ligji për të drejtën e informimit, që kërkojnë të lehtësojnë marrjen e informacionit në kohë reale.

Besnik Dervishi shton:

“Është ajo që ne e quajmë transparenca proaktive. Pra është informacioni që vetë institucionet duhet të vënë në dispozicion të qytetarëve, medias e të gjithë faktorëve të interesuar. Nuk ka pse të bëhet ankesë pranë komisionerit për të marr informacion, këtë informacion duhet ta gjeni vetë të vendosur publikisht. Fitohet kohë edhe cilësi”.

LEXO EDHE: Moti i keq shkakton dëme në rrjetin elektrik në qarkun e Elbasanit, disa fshatra mbeten në errësirë

Afati i institucioneve për të reflektuar ndryshimet është deri më 31 mars, e më pas kush do të ketë mangësi në informacion do të bëhet pjesë e një hetimi administrativ nga zyra e komisionerit për të drejtën e informimit që mund të sjell edhe sanksione.