Personi i Vitit i revistës Time për vitin 2025 nuk është një person i vetëm. Shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, kreu i Meta-s, Mark Zuckerberg, pronari i X, Elon Musk dhe “nëna e inteligjencës artificiale” Fei-Fei Li janë ndër ata që paraqiten në njërën nga dy kopertinat e revistës. Ekspertët thonë se kjo nxjerr në pah se sa shpejt inteligjenca artificiale dhe firmat që fshihen pas saj po e riformësojnë shoqërinë.
Kjo vjen në një kohë kur një bum në teknologji, i nisur nga lançimi i ChatGPT nga OpenAI në fund të vitit 2022, vazhdon me ritëm të shpejtë. Firma tha në shtator se chatbot-i i saj përdoret nga rreth 700 milionë njerëz çdo javë. Ndërkaq, Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar mjetin e parë të inteligjencës artificiale të dizajnuar për të ndihmuar mjekët në vlerësimin e një forme të rënde të sëmundjes së mëlçisë me yndyrë gjatë testeve klinike të ilaçeve. Tani, ky mjet do të jetë i disponueshëm publikisht dhe mund të përdoret në çdo program zhvillimi ilaçesh për kontekstin e përdorimit të kualifikuar, raportoi Reuters.
Sistemi në cloud, i quajtur AIM-NASH, analizon imazhet e indeve të mëlçisë për të ndihmuar mjekët të vlerësojnë shenjat e sëmundjeve si akumulimi i yndyrës, inflamacioni dhe sklerozimi. Mjeti pritet të thjeshtësojë testet klinike për steatohepatitin e lidhur me disfunksionin metabolik (MASH), një gjendje që prek miliona amerikanë dhe mund të çojë në dështim të mëlçisë ose kancer.